Arsenali po përpiqet që të marrë nga Mançester Junajtid mesfushorin Luis Nani, për të cilin është gati të shpenzojë deri në 20 milion paund. Lojtari aktualisht nuk ka rinovuar me Mançester Junajtid dhe mund të largohet në janar apo në fund të sezonit.
Ai do të ishte futbollisti perfekt për të zëvendësuar Teo Uollkot në radhët e “topçinjve” pasi ky i fundit duket se nuk do të rinovojë më me ekipin londinez.
Junajtid ka bërë të qartë edhe më parë se dëshiron që shuma për shitjen e Nani të kalojë 14 milion paund që pagoi për të në vitin 2007 kur e mori nga Sporting Lisbona. 26 vjeçari, i cili ka humbur edhe rolin e tij si titullar te Junajtid, ka edhe 18 muaj të mbetur në kontratën ekzistuese.
Ai paguhet 90 mijë paund në javë te “djajtë e kuq”, por pretendon që kjo shifër të rritet në 130 mijë paund në javë, një kërkesë që është refuzuar nga klubi.
Por edhe Arsenali nuk është se paguan shuma të mëdha. Ndonëse klubi nuk i ofron më shumë se 80 mijë paund në javë Uollkot, në këtë skuadër vazhdon të paguhet 90 mijë paund në jave Andrei Arshavin, shumë e njëjtë me atë që përfiton Lukas Podolski.
Klube të tjera si Zenit Shën Petersburg dhe Paris Sent Zhërmen po ndjekin me vëmendjen situatën e Nani, por lojtari dëshiron që të vazhdojë të luajë në Angli, ku thuhet se ka një interesim edhe nga Çelsi. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 11 December 2012 14:10