Trajneri i Mançester Sitit, Roberto Mançini, ka pranuar se ka filluar të bëhet shqetësuese situata e Mario Balotelit dhe formës së tij gjatë kohëve të fundit. Sulmuesi italian u aktivizua si titullar në ndeshjen e humbur 3-2 përballë rivalëve të Junajtid, ndërsa u zëvendësua në minutën e 52-të pa lënë gjurmë në këtë takim të rëndësishëm.
“Unë e dua shumë Marion, por është e rëndësishme që ai të fillojë të mendojë seriozisht për punën e tij. Ai i ka të gjitha gjërat që duhen për të luajtur mirë, por nuk mund të vazhdojë të luajë si në këtë ndeshje. Ne kërkonim më shumë nga ai. Kur ke një lojtar me cilësitë e Marios, thjesht nuk mund ta kuptosh se si ai vazhdon të hedhë mundësitë e tij jashtë dritares, është e pabesueshme. Gjatë jetës time kam parë lojtarë me cilësi fantastike, por në fund ata nuk kanë bërë asgjë. Nuk do të dëshiroja që Mario të përfundonte si këta lojtarë”, tha trajneri italian për bashkëkombësin e tij, i cili u bë protagonist edhe i një incidenti të vogël kur po largohej nga stadiumi, pasi tifozët e Mançester Junajtid rrethuan makinën e tij dhe filluan të talleshin me të.
Por sipas asaj që raporto gazeta “The Sun”, Baloteli nuk ka qenë i vetmi që është kritikuar nga Mançini, pasi trajneri ka lëshuar kritika ndaj shumë prej pjesëtarëve të skuadrës, duke filluar nga Xho Hart. “Ky ishte krejtësisht faji yt”, ishte akuza që ai i bëri pas ndeshjes portierit anglez.
Më pas ai ka vijuar me kritikat ndaj Tevez dhe Nasri, të cilët sipas tij kishin gabuar në momentin e golit të tretë të shënuar nga Van Persi, mendim të cilin ai e bëri publik edhe para gazetarëve.
“Tevez u largua nga muri dhe nuk e kuptoj një gjë të tillë, pasi ishte një pozicion i rrezikshëm. I kërkova të kthehej por isha larg dhe nuk më dëgjoi. Gabuam duke vënë vetëm 3 lojtarë në mur, në fakt ishin vetëm 2 e gjysmë”, tha ai duke iu referuar faktit se Samir Nasri në momentin e gjuajtjes së holandezit u fsheh pas Edin Xhekos dhe më pas devijoi topin që përfundoi pas krahëve të Hart. “Kur është e nevojshme, lojtari duhet të vendosë edhe fytyrën para topit”, tha Mançini. (LajmeShqip.com)
Monday, 10 December 2012 11:01