Mediat italiane raportojnë se Uesli Shnajder ka gjetur akordin me PSZH për transferimin e tij të mundshëm në radhët e skuadrës parisiene në muajin janar. Menaxheri i futbollistit, Soren Lerbi, në vend që të takonte drejtuesit e Interit të premten, është takuar me ata të PSZH.
Menaxheri i holandezit ka shumë kohë që komunikon fshehurazi me Leonardon dhe sipas asaj që raportojnë mediat italiane, në orët e fundit ka arritur akordin për transferimin e tij te ky klub.
PSZH nuk ka probleme t’i garantojë Shnajder rrogën që përfiton aktualisht te Interi, 6 milion euro në vit, mundësisht me ndonjë rritje të vogël dhe bonuse. Njëkohësisht, kontrata e tij e re pritet të jetë deri në vitin 2016, një më shumw se sa i ofron Interi për të rinovuar. Si rrjedhojë, Shnajder është dakord për transferimin, mundësisht që në janar, pasi është mërzitur nga mosaktivizimi te zikaltërit dhe sidomos fakti që mosaktivizimi vjen për shkak të kërkesave të klubit për ulje të rrogës.
Tani mbetet që të arrihet akordi mes klubeve por në Itali janë të bindur që gjithçka mund të mbyllet me një shumë mes 10-15 milionë eurove, pasi Interi është gati të investojë këto para dhe kursimin e rrogës së lartë të holandezit për të gjetur një të ri të talentuar “më të uritur” për fitore se Shnajder dhe sidomos më i prirur për të ndjekur rregullat e klubit kur bëhet fjalë për rrjetet sociale. (LajmeShqip.com)
Sunday, 09 December 2012 16:19