Një gol i anuluar pa të drejtë ndaj Serxho Ramos në takimin e luajtur ndaj Vajadolid, ka bërë që te Real Madrid të lindin përsëri polemika rreth trajtimit që gjyqtarët po u bëjnë kampionëve në fuqi të Spanjës. Këtë mendim e ka shprehur vetë futbollisti, i cili mendon se ky trajtim mund të jetë vendimtar edhe në luftën për titull.
“Ai që shënova ishte një gol i rregullt dhe më shqetëson që e anuluan, edhe pse në fund arritëm të marrim tre pikët. Me një rezultat tjetër, pasojat do të ishim shumë ndryshe për ne. Tani u bë më shumë se një ndeshje që gjyqtarët na persekutojnë. Ka ardhur koha që të gabohet edhe në favorin tonë”, ishte batuta e mbrojtësit, i cili shpreson që diferenca me Barcelonën të mos thellohet nga gabimet e gjyqtarëve.
“Diferenca me kryesuesit është shumë e madhe. Çdo gabim do ta bënte të pamundur rikuperimin dhe do të na pëlqente që gabimet të mos vinin si pasojë e gjyqtarëve”, tha ai.
Më pas, Ramos pranoi se aktualisht Real Madrid po ia vështirëson gjërat vetes, siç e tregoi në ndeshjen e të shtunës, ku pësoi dy gola nga goditjet nga këndi.
“Është e padiskutueshme që duhet të përmirësohemi në goditjet standarde. Kemi gabuar, sidomos në pjesën e parë. Nuk duam të mbulojmë gabimet tona, por ashtu si ne që i njohim gabimet që bëjmë dhe i pranojmë, të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe gjyqtarët”, tha mbrojtësi i Real Madrid. (LajmeShqip.com)
Sunday, 09 December 2012 12:04