“Është utopi të mendosh për një blerje të madhe në janar”. Më këto fjalë, drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Bepe Marota, ka shuar përfundimisht ëndrrat e tifozëve të skuadrës bardhezi për “yllin” e premtuar prej kohësh.
“Problemi janë kostot, të cilat klubet italiane aktualisht nuk mund t’i përballojnë, pastaj në janar është e vështirë të gjendet një lojtar që mund të bëjë diferencën. Gjithsesi, fitoret tona janë fryti i kontributit kolektiv dhe për momentin kemi sulmin e dytë më të mirë të kampionatit”, tha ai.
Me këto fjalë, drejtuesi i Juventusit ka mbyllur thuajse përfundimisht çdo shteg për afrimin e Fernando Lorente të Atletik Bilbao apo Didier Drogba, i cili mendohet se ka probleme te klubi tij aktual në Kinë, Shangai Shenhua.
Mediat italiane parashikojnë që Juventusi në janar të merret vetëm me lëvizje të vogla dhe jo shumë domethënëse, duke u munduar që të largojë futbollistë që nuk gjejnë hapësira si Lusio, Marrone, Padoin, Bendtner dhe një mes Matri e Kualjarela.
Bardhezinjtë më pas do të merren me “merkaton e riparimit”, duke afruar Peluso nga Atalanta dhe Boketi nga Rubin Kazan. (LajmeShqip.com)
Friday, 07 December 2012 18:24