Florentino Perez, shumë shpejt do të deklarojë publikisht se lajmi i dhënë nga gazeta “Marca” rreth largimit të Zhoze Murinjos në fund të këtij sezoni është i pavërtetë.
Këtë e ka deklaruar gazetari sportiv i gazetës portugeze “A’Bola”, i cili pretendon se presidenti i Realit nuk heq dorë nga tekniku që arriti të thyente hegjemoninë e Barcelonës dhe te i cili ka varur shpresat për fitimin e Ligës së Kampioneve numër 10.
“Murinjo do të jetë trajneri im të paktën deri në vitin 2016”, mësohen të kenë qenë fjalët që Perez u ka thënë personave të afërt me të gjatë kohëve të fundit, pas publikimit të lajmit të bujshëm në gazetën spanjolle.
Si rrjedhojë, Perez do të shfrytëzojë darkën e zakonshme të Krishtlindjeve bashkë me gazetarët e ndryshëm që ndjekin çdo ditë Real Madrid, për t’u konfirmuar këtyre të fundit se nuk po planifikohet asnjë ndryshim në pankinën e skuadrës.
Sipas mediave portugeze, trajneri ka bërë gati edhe listën e dëshirave për sezonin e ardhshëm, ku bie në sy blerja e tre futbollistëve shumë cilësorë. I pari në listë është David Silva, një lojtar që ai ka dy vite që e kërkon por nuk arrin ta marrë nga Mançester Siti. Dy emrat e tjerë, më të mundshëm për t’u arritur nëse bëhet një sforco ekonomike, janë Radamel Falkao dhe Mario Gëtze. Një pjesë e të ardhurave për këto lojtarë pritet të mbulohen nga shitja thuajse e sigurt në fund të sezonit e Kaka si dhe një mes Benzema dhe Higuain, për t’i bërë vend Falkaos në repartin e avancuar. (LajmeShqip.com)
Friday, 07 December 2012 14:01