Aleks Ferguson mendon se fitorja në derbi përballë Mançester Sitit do të ishte një nga sukseset më të mëdha të Mançester Junajtid në vitet e fundit, por njëkohësisht ka paralajmëruar ekipin që të përqendrohet maksimalisht për këtë objektiv.
“Nëse fitojmë të dielën, ky do të jetë një nga rezultatet tona më të mira të të gjitha kohëve. Ata janë të mirë, kanë një ekip të fortë me lojtarë të jashtëzakonshëm. Por nuk do të jetë e lehtë dhe nëse mbrojtja jonë paraqitet si ndaj Riding, do të kemi shumë telashe. Gjëja e rëndësishme është të mësojmë nga gabimet që kemi bërë deri tani dhe t’i korrigjojmë ato. Na duhet të gjejmë një zgjidhje sa më parë”, tha trajneri i Mançester Junajtid.
Skocezi ka shfrytëzuar rastin edhe për të thumbuar kundërshtarët e radhës, duke u kujtuar eliminimin nga Liga e Kampioneve, ku sipas tij, ata nuk ishin gati për një aktivitet që të “thyen”.
“Duhet të mësosh shpejt në Kupat e Evropës dhe nëse nuk e bën një gjë të tillë, duhet të presësh deri në sezonin e ardhshëm për një shans tjetër. Nëse nuk arrin të përshtatesh me natyrën shumë konkurruese të këtij turneu, ai mund të të thyejë”, tha trajneri. (LajmeShqip.com)
Thursday, 06 December 2012 16:46