Xhon Obi Mikel ka firmosur një kontratë të re pesëvjeçare me Çelsin, duke zgjatur marrëveshjen e tij ekzistuese me klubin londinez deri në vitin 2017.
25 vjeçari iu bashkua ekipin të Londrës perëndimore në vitin 2006, kur ishte vetëm 19 vjeç, i paguar për shumën e lartë të 16 milion paund kur u mor nga ekipi norvegjez i Lyn. Nga këto para, vetëm 4 milion paund i shkuan ekipit të Lyn, ndërsa 12 milion paund iu paguan si dëmshpërblim Mançester Junajtid, që kishte nënshkruar një parakontratë për blerjen e mesfushorit.
Që nga ai moment, Mikel ka luajtur 261 ndeshje me fanellën e Çelsit, duke fituar gjatë kësaj periudhë 4 Kupa FA, 1 titull Kampion Anglie dhe 1 Ligë Kampionesh. Në sezonin e tij të parë me londinezët, ai mori çmimin “Lojtari i Ri i Vitit”.
Mesfushori me tipare mbrojtëse, tha se tashmë e cilëson “Stemford Brixh” si shtëpinë e tij dhe mendon se po i afrohet maksimumit të tij, duke synuar më shumë trofe në të ardhmen.
“Çelsi duket si shtëpia ime tani, pasi kam qenë këtu për më shumë se 6 vite dhe ia kam kaluar shumë mirë. Kam ardhur çdo ditë në stërvitje për të punuar dhe për të vlerësuar punën time. Jam i lumtur për rinovimin dhe dua të vazhdoj të fitoj trofe me këtë klub, ku kam luajtur përkrah legjendave si Drogba, Lampard e Terri”, tha futbollisti. (LajmeShqip.com)
Thursday, 06 December 2012 14:32