Festa e mundshme e Lionel Mesit është kthyer në hidhërim, pasi futbollisti argjentinas që ishte vënë në ndjekje të rekordit të golave të Gerd Myler, ka dalë me barelë mes lotëve nga fusha e lojës në barazimin 0-0 të Barcelonës ndaj Benfikës.
Ylli i katalanasve u aktivizua në pjesën e dytë të ndeshjes, me shpresën se do të arrinte të shënonte në këtë sfidë, por 5 minuta para fundit, u dëmtua në një përplasje me portierin kundërshtar dhe u detyrua të largohej nga fusha e lojës. Ky dëmtim ka shqetësuar dukshëm katalanasit, të cilët në minuat e fundit e kishin më shumë mendjen se çfarë po diskutonin mjekët e skuadrës për argjentinasin, sesa për të shtyrë minutat në këtë ndeshje që nuk kishte asnjë vlerë për ta. Gjithsesi, barazimi ka dënuar Benfikën me kalimin në Europa League, pasi fitorja e Sëlltik ndaj Spartak Moskës ka bërë që në turin tjetër të Ligës së Kampioneve të kalojë ekipi skocez.
Grupi F ishte zgjidhur prej kohësh, ndërsa Bajern Mynih e Valencia thjesht diskutonin në distancë se kush do të merrte kreun. Bavarezët kanë fituar 4-1 përballë BATE Borisov falë një prove të shkëlqyer të Xherdan Shaqirit që ka shënuar një gol dhe ka dhënë një asist, ndërsa ka qenë ndër futbollistët më të mirë në fushën e lojës. Bajern është kualifikuar në vendin e parë në grup falë golavarazhit më të mirë se Valencia, e cila nga ana e saj ka fituar vetëm 1-0 ndaj Lilë.
Kluj i ka shkuar shumë pranë mrekullisë së kualfikimit në fazën tjetër, me fitoren 1-0 në fushën e Mançester Junajtid, që është paraqitur me zëvendësuesit dhe jo me titullarët e zakonshëm. Por ka qenë Gallatasaraj që ka kaluar turin, me një tjetër sukses jashtë fushe, 2-1 ndaj portugezëve të Braga. Si rrjedhojë, skuadra rumune duhet të kënaqet me Europa League në vazhdimin e këtij sezoni. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
GRUPI F
Lilë-Valencia 0-1
36’ (p) Xhonas
Bajern Mynih-BATE 4-1
22’ Gomez, 54’ Myler, 66’ Shaqiri, 83’ Alaba / 89’ Filipenko
Renditja: Bajern Mynih 13 pikë, Valencia 13, BATE 6, Lilë 3.
GRUPI G
Barcelona-Benfika 0-0
Sëlltik-Spartak Moskë 2-1
21’ Hoper, 81’ (p) Komons / 39’ Ari
Renditja: Barcelona 13 pikë, Sëlltik 10, Benfika 8, Spartak Moskë 3.
GRUPI H
Mançester Junajtid-Kluj 0-1
56’ Luis Alberto
Sporting Braga-Gallatasaraj 1-2
32’ Mosoro / 58’ B. Jilmaz, 79’ A Jilmaz
Renditja: Mançester Junajtid 12 pikë, Gallatasaraj 10, Kluj 10, Braga 3.
Të kualifikuar si kreu i grupit në fazën me eliminim direkt:
Borusia Dortmund, PSZH, Shalke, Malaga, Juventus, Bajern Mynih, Barcelona, Mançester Junajtid.
Të kualifikuar si të dytët në grup në fazën me eliminim direkt:
Real Madrid, Porto, Arsenal, Milan, Shakhtar Donetsk, Valencia, Sëlltik, Gallatasaraj.
Të kualifikuar në Europa League në fazën me eliminim direkt:
Ajaks, Dinamo Kiev, Olimpiakos, Zenit, Çelsi, BATE, Benfika, Kluj.
Wednesday, 05 December 2012 23:23