Çelsi ka marrë një paralajmërim të qartë që të lërë të qetë Pep Guardiolën, në të kundërt rrezikon që të humbasë përfundimisht mundësinë që të ketë trajnerin spanjoll në stolin e saj në të ardhmen.
Pronari i klubit londinez, Roman Abramoviç, është i dëshpëruar në dëshirën e tij për të patur teknikun katalanas në drejtimin e skuadrës, pasi shkarkoi Roberto Di Mateon dhe ka emëruar deri në fund tët sezonit Rafel Benitez. Por ish-trajneri i Barcelonës ka filluar të acarohet nga kërkesat dhe kontaktet e vazhdueshme që i vijnë nga Çelsi.
Këshilltarët e spanjollit i kanë bërë të qartë pronarit të Çelsit se ky lloj insistimi për të mësuar nëse do të pranojë ofertën e tij apo jo, thjesht po krijon një efekt të kundërt, me Guardiolën që po mendon seriozisht të refuzojë një ofertë të mundshme, i irrituar nga interesimi i vazhdueshëm.
Trajneri katalanas ka vendosur të bëjë pushime dhe telefonatat e pandërprera të personave pranë Abramoviç nuk po e lënë të qetë në këtë periudhë.
Abramoviç, nga ana tjetër, është i shqetësuar se mos Guardiola bindet para projekteve që mund t’i ofrojnë klube të tjera si PSZH, Mançester Junajtid, Mançester Siti, Milan e Bajern Mynih, që kanë shprehur interesimin për të. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 05 December 2012 13:29