Masimo Morati ka bërë të qartë se do të tentojë të gjitha mënyrat të mbaje Uesli Shnajder dhe nuk po planifikon shkëmbimin e holandezit me argjentinasin e PSZH, Havier Pastore.
“Do të mbajmë Shnajder që është më i forti nga të gjithë. Për këtë çështje është folur edhe më shumë sesa duhet. Problemi është më shumë mediatik sesa ai që mendohet, unë kam një raport të shkëlqyer me këtë djalosh. Regjisti i Interit? E di Stramaçioni se kush është, por kur Shnajder të kthehet në formën më të mirë, ai do të jetë një vlerë e shtuar për ne”, ishte deklarata e bërë nga Masimo Morati rreth të ardhmes së lojtarit holandez.
Por pavarësisht këtyre fjalëve, shumë klube të njohura evropiane kanë bërë gati ofertat e tyre për të synuar të rrëmbejnë lojtarin nga zikaltërit duke përfituar nga mosmarrëveshjet mes palëve.
Sipas informacioneve nga media të ndryshme, për futbollistin interesohen mes të tjerëve Anzhi, PSZH, Bajern Mynih, Mançester Siti dhe Mançester Junajtid, me një ankand të mirëfilltë që pritet të fillojë në janar.
Inter mund të kënaqet me 15-20 milion euro, ndërsa futbollisti kërkon një skuadër ku të jetë titullar i padiskutueshëm, në kundërshtim nga ajo që po përjeton te Interi ku është kthyer në rezervë. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 05 December 2012 10:24