Ylli brazilian Neimar, i është shtuar zërave të atyre që presin me ngulm të shohin Robinjon të kthehet te Santos. Futbollisti i Milanit nuk po arrin të shfaqet më në formën e tij më të mirë dhe duket se është gati t’i japë lamtumirën skuadrës që e bleu për 18 milion euro në vitin 2010.
28 vjeçari pritet të kthehet në Brazil dhe kanë filluar spekulimet rreth cilës skuadër do të zgjedhë. Në këtë situatë, Neimar i ka bërë ftesë atij të kthehet përsëri te ish-klubi i tij, për të formuar një dyshe sulmi të pandalshme.
“Kuptohet që në këtë situatë unë jam i njëanshëm, pasi ai është idhulli im. Të kthesh përsëri idhullin tënd në klub do të ishte diçka shumë e veçantë”, tha Neimar për “Xinhua”.
“Nëse tifozët e duan, atëherë normalisht që edhe unë e dua këtu. Por ai që vendos është presidenti Ribeiro. Unë dua gjithmonë që lojtarët më të mirë të vijnë te Santos, dyert tona janë gjithmonë të hapura për lojtarë të mirë”, tha Neimar. (LajmeShqip.com)
Monday, 03 December 2012 09:08