FIA ka publikuar listën e skuadrave që do të marrin pjesë në kampionatin e ardhshëm të Formula 1 dhe ashtu siç pritej, mes garuesve nuk figuron ekipi i HRT, që ka braktisur turneun për mungesë fondesh. Si rrjedhojë, në sezonin e ardhshëm, në kampionat do të marrin pjesë vetëm 11 skuadra, shumë prej të cilave nuk kanë zyrtarizuar ende pilotët e tyre.
Duhet thënë se ekipet e mëdha si Red Bull (Vetel-Ueber), Ferrari (Alonso-Masa), MekLaren (Baton-Perez) dhe Mercedes (Hamilton-Rosberg), kanë bërë të qartë se cilat janë dyshet e tyre për vitin 2013. Edhe Uilliams ka zyrtarizuar dyshen Maldonado-Botas për vitin e ardhshëm, ndërsa Lotus ka konfirmuar deri tani vetëm Kimi Raikonen, me Roman Groszhan që pret ende konfirmimin dhe kontratën e re.
Së shpejti pritet konfirmimi nga Sauber, ku Hulkenberg-Gutierrez do të zëvendësojnë të larguarit Perez e Kobajashi. Force India duket e kënaqur me dyshen Di Resta-Glok, ashti si Toro Roso me Riçiardo e Vernje. Katerham po bëhet gati të zyrtarizojë Pik për sezonin e ri, ndërsa nuk ka caktuar ende partnerin e tij.
Për të gjithë ata që mbeten pa një makinë në sezonin e ardhshëm, mundësia e fundit është skuadra e Marusia, e cila ka bërë të qartë se do të presë deri në momentin e fundit për të përcaktuar pilotët, duke parë se çfarë alternativash i mbeten në dispozicion. (LajmeShqip.com)
Sunday, 02 December 2012 10:26