Devid Bekam i ka dhënë lamtumirën ë mënyrën më të mirë të mundshme kampionatit të MLS, duke u shpallur kampion për të dytin sezon radhazi, falë fitores së LA Galaksi me rezultatin 3-1 përballë Hjuston Dinamo, në finalen e turneut.
Karr kaloi në avantazh Hjuston në pjesën e parë, por përmbysja e kalifornianëve erdhi në pjesën e dytë, falë golave të Gonzalez, Donovan e Kin. Trajneri Arena, duke parë rezultatin e siguruar, vendosi që t’i dhuronte Bekam ovacionin e merituar të publikut, duke e zëvendësuar në sekondat e fundit në mënyrë që të bënte xhiron e nderit para më shumë se 30 mijë tifozëve të pranishëm.
“Mendoj se sot do të ishte një ditë emocionuese për mua, sido që të kishte shkuar kjo ndeshje, pasi kam qenë këtu për 6 vite radhazi dhe thuajse me të njëjtin grup lojtarësh”, tha mesfushori anglez, i cili në minutat e fundit refuzoi të gjuante një penallti, duke ia kaluar topin Kin që më pas shënoi golin e tretë.
“I thashë Donovan ta gjuante penalltinë, por ai më tha t’i linim Robit ta gjuante, se ishte shumë i lodhur. Unë personalisht nuk desha ta gjuaja, pasi këtu bëhet fjalë për të fituar ndeshjen, jo që unë të shënoj me penallti e të largohem si yll”, komentoi Bekam.
Tashmë pritet të mësohet se ku do të përfundojë anglezi 37 vjeçar, i cili ka bërë të ditur se do të vazhdojë të luajë futboll si profesionist, sepse ka shumë oferta të rëndësishme nga klube të ndryshme. (LajmeShqip.com)
Sunday, 02 December 2012 09:44