Shpërthimi i Stefan El Sharauit, sulmuesit 20 vjeçar të Milanit, ka bërë që vlerësime të panumërta të vijnë në adresë të lojtarit që kryeson renditjen e golashënuesve të kampionatit italian me 12 golat e tij. Një nga vlerësimet ka ardhur nga administratori i Milanit, Adriano Galiani, i cili nuk ka ngurruar ta krahasojë atë me një prej yjeve të futbollit botëror, brazilianin Neimar.
“Stefan është 20 vjeç, po shënon me vazhdimësi, ka nuhatje për golin dhe këmbë të shkëlqyera për të luajtur futboll. Mendoj se është një prej 20 vjeçarëve më të rëndësishëm për momentin në botë. Në këtë moment, i pari është Neimar, e pas tij vjen menjëherë El Sharaui”, ishte vlerësimi i drejtuesit të kuqezinjve.
“Sinqerisht që ai po paraqitet mbi çdo parashikim të mundshëm. Kur e blemë, e dinim që ishte një lojtar i mirë, por në perspektivë, nuk pritnim këtë shpërthim të menjëhershëm”, vijoi Galiani në “Radio Sport”.
Në fund një batutë për vizitat e Berluskonit në klub, pasi në të dy rastet që ai ka takuar skuadrën, kuqezinjtë kanë fituar. “Talismani Berluskoni funksionon. I thashë që të vinte të shtunën e ardhshme të na takonte dhe ka pranuar. Nëse gjërat vazhdojnë kështu, mendoj ta grumbullojmë që para fillimit të sezonit, në mënyrë që të luftojmë për titullin kampion”, ishte batuta e drejtuesit të kuqezinjve. (LajmeShqip.com)
Sunday, 02 December 2012 09:21