Më shumë se 62 futbollistë të njohur kanë firmosur një deklaratë ku protestojnë rreth vendimit të UEFA për të zhvilluar vitin e ardhshëm në Izrael Kampionatin Evropian U-21, pas ofensivës së fundit ushtarake në Rripin e Gazës.
Në këtë iniciativë të nisur nga ish-lojtari i Seviljes, Frederik Kanoute, kanë aderuar shumë lojtarë të njohur të futbollit botëror, mes të cilëve Didier Drogba, Zheremi Menez, Eden Hazard, Demba Ba, Johan Kabaje, Abu Diabi, Stiv Mandanda, etj.
“Ne, si lojtarë evropianë, shprehim solidaritetin tonë me njerëzit në Gaza, të cilët jetojnë nën rrethim dhe u mohohet dinjiteti dhe liria bazë njerëzore. Jemi informuar se me 10 nëntor 2012, ushtria izraelite bombardoi një stadium në Gaza, që rezultoi në vdekjen e katër të rinjve që po luanin futboll: Mohamed Harara dhe Ahmed Harara, 16 dhe 17 vjeç; Matar Rahman dhe Ahmed Al Dirdisaui, të dy 18 vjeç. Jemi informuar gjithashtu se që nga shkurti i vitit 2012, dy futbollistët e klubit Al Amari, Omar Rouis dhe Mohamed Nemer, 23 dhe 22 vjeç, mbahen të burgosur në Izrael pa asnjë akuzë ndaj tyre dhe pa u bërë gjyq”.
“Është e papranueshme që fëmijë të vriten duke luajtur futboll. Në këto rrethana, zhvillimi i Evropianit U-21 nga Izraeli do të shihet si një shpërblim të veprimeve që shkojnë kundër vlerave sportive”, shkruhet në këtë deklaratë të firmosur nga disa prej futbollistëve elitarë në Evropë.
Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, tha pak ditë më parë se nuk shqetësohet nga problemet e sigurisë për turneun që zhvillohet në 5-18 qershor 2012 në qytetet e Jeruzalemit, Tel Aviv, Netanja dhe Petah Tikva. (LajmeShqip.com)
Saturday, 01 December 2012 10:23