Devid Bekam po ndihmon LA Galaksi të sigurojë firmën e brazilianit Kaka në sezonin e ardhshëm, duke shpresuar që ai të jetë pasardhësi i tij në radhët e skuadrës kaliforniane. Këtë fakt e ka zbuluar vetë pronari i klubit, Tim Leiueke, i cili pranoi se është shumë i interesuar për lojtarin dhe ka filluar bisedimet konkrete me të.
“Ne jemi të ndërgjegjshëm për interesimin e Kaka rreth MLS dhe ia kemi bëtrë të qartë atij që edhe ne jemi shumë të interesuar për të. Kemi një marrëdhënie të shkëlqyer me Real Madrid dhe ashtu siç gjetëm një marrëveshje për Bekam 6 vite më parë, mund të gjejmë një marrëveshje edhe këtë vit”, tha Leiueke për “Sports Illustrated”.
Pronari i LA Galaksi ka bërë të qartë se Kaka do të ishte figura perfekte që kërkon klubi për të tërhequr tifozët me prejardhje hispanike në këtë zonë, të cilët nuk kanë ende një përfaqësues të denjë për të mbështetur. Ai pohoi se Bekam ishte një prej personave kyç në këtë marrëveshje të mundshme.
“Personi që na prezantoi lojtarin është Devid Bekam. Devid ka bërë rolin e ndërmjetësit gjatë kësaj periudhe për ne, duke na e prezantuar, duke e bërë të ndjehet sa më rehat atë dhe familjen e tij dhe duke i folur për Los Anxhelosin dhe vetë klubin tha Leiueke, i cili shpreson që me transferimin e Kaka të vazhdojë jo vetëm përmirësimin e ekipit, por edhe rritjen e shumave që ka përfituar nga marketingu, si nga momenti kur vendosi të blejë Devid Bekam. (LajmeShqip.com)
Saturday, 01 December 2012 10:01