Tito Vilanova vazhdon të mbajë një linjë shumë të qartë mendimi që në fillimin e sezonit, duke injoruar thuajse plotësisht çdo skuadër tjetër dhe duke folur për ekipin e tij. Pasardhësi i Guardiolës duket edhe më agresiv në raportet me Real Madrid, siç ka ndodhur në konferencën e sotme për shtyp, ku ka folur për skuadrën e vet, por edhe për derbin e Madridit mes Atletiko dhe Realit.
“As që rri të mendoj për gjëra të tilla si diferenca e pikëve. Unë mendoj vetëm si të fitojmë ndeshje, diferenca me rivalët nuk është problemi ynë. Nuk e mendoj kampionatin të mbyllur nëse Reali mundet në derbi. Kampionati nuk është i mbyllur as sikur të kemi 14 apo 16 pikë diferencë. Ka shumë ndeshje për t’u luajtur dhe ndoshta që nesër diferenca mund të jetë 8 pikë”.
“A do ta shoh derbin? Kam një takim me mediat pas ndeshjes tonë dhe pastaj kam orarin për të ngrënë darkën. Nuk kam ndër mend aq ta shoh e as ta ndjek si ndeshje”, ishte komenti i Vilanovës, duke bërë të qartë se aktualisht nuk shqetësohet nga paraqitjet e dy skuadrave të Madridit, që janë rivalët e titullit në këtë sezon.
Pasi ka sqaruar se klubi nuk ka ndërmend të bëjë asnjë blerje në merkaton e janarit, ai ka folur për luftën për “Topin e Artë”, ku janë në garë dy futbollistët e tij, Mesi dhe Iniesta.
“Të gjithë në klub jemi shumë të lumtur që 2 nga 3 finalistët janë të Barcelonës, por mund të ishin të tre, pasi edhe Ksavi e meriton, ka qenë edhe më parë në finale. A mund ta fitojë Iniesta? Unë thjesht shpresoj që ta fitojë një prej dy futbollistëve tanë. Kush e fiton, vendoset nga votuesit dhe mendoj se çdo fitues do ta meritojë këtë trofe”, tha trajneri i cili pranoi se aktualisht nuk mendon nëse në të ardhmen emri i tij do të jetë mes kandidatëve për çmimin e “Trajnerit të Vitit”. (LajmeShqip.com)
Friday, 30 November 2012 18:03