Frank Riberi është prej 6 sezonesh pjesë e Bajern Mynih dhe vetë mesfushori i talentuar francez ka zbuluar se është gati edhe të mbyllë karrierën te kjo skuadër, ku ka arritur të shprehet në nivelet më të larta.
“Kanë kaluar 6 vite që nga momenti kur erdha këtu, e ndonëse tallem e qesh me shokët shumë shpesh, mendoj se jam më i pjekur”, u shpreh 29 vjeçari për “Bild”.
“Unë nuk jam një shef që jep urdhra. Flas shumë me të rinjtë, mundohem t’i ndihmoj, pikërisht ashtu siç ka bërë Zidan me mua. Ai ishte si një vëlla i madh për mua, kam mësuar shumë gjëra prej tij”, ka shpjeguar Riberi për futbollistin që ka patur idhull dhe njëkohësisht ka patur fatin të luajë përkrah tij në përfaqësuesen franceze.
Duket se Riberi është gati të mbyllë karrierën te Bajerni, duke propozuar zgjatjen e kontratës që i përfundon në vitin 2015.
“Kontrata ime përfundon në vitin 2015, por unë dua të qëndrojë këtu. Nuk jam ndjerë askund më mirë se këtu, edhe atëherë kur luaja keq apo kisha probleme personale. Kam një ndjesi të jashtëzakonshme kur tifozët thërrasin emrin tim”.
“Mund ta mbyll këtu karrierën time, ndonëse vazhdoj të mbetem francez. PSZH? Shkoj atje vetëm nëse sheikët më ofrojnë 20 milion euro në vit! Të flasim seriozisht, PSZH po vazhdon një projekt të madh, por nuk është Bajern Mynihu”, ishte deklarata e Riberi. (LajmeShqip.com)
Friday, 30 November 2012 17:40