Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit, FIA, ka bërë të qartë se nuk ekziston asnjë çështje e hapur në lidhje me parakalimin e Sebastian Vetel ndaj Zhan Erik Vernje në Çmimin e Madh të Brazilit. Sipas konfirmimit që ka ardhur nëpërmjet Autosport.com, nuk ka dyshime që parakalimi i Vetel ishte i rregullt.
Ferrari kishte deklaruar se po shihte edhe një herë videot e garës për të parë nëse Vetel kishte bërë një parakalim të gabuar ndaj Vernje nën regjimin e flamujve të verdhë mes kthesave 3 dhe 4 në momentet e para të garës. Sot, skuadra italiane deklaroi se do i kërkonte zyrtarisht FIA-s të qartësojë situatën e krijuar.
Por burime pranë FIA-s kanë sqaruar se ndonëse ajo zonë kishte sinjalizimet e verdha, kishte edhe një kullë të komisarëve të pistës, ku në ato momente po valëvitej flamuri i gjelbër. Sipas rregullores së garës në këtë Çmim të Madh, nëse flamuri i gjelbër valëvitet edhe gjatë periudhës kur sinjalizohet me semaforë të verdhë, flamuri i gjelbër ka përparësi, ndaj parakalimi i Vetel quhet i rregullt.
Për më tepër, FIA ka bërë të qartë se pavarësisht fjalëve, asnjë skuadër nuk ka bërë ankimim për garën në fjalë, duke mbyllur përfundimisht këtë debat dhe duke zyrtarizuar titullin kampion për pilotin gjerman të Red Bull. (LajmeShqip.com)
Thursday, 29 November 2012 14:10