Ronaldinjo do të luajë edhe një tjetër sezon me klubin brazilian të Atletiko Mineiro, pasi ka pranuar të rinovojë kontratën me klubin e tij aktual.
Ishte vetë klubi që lajmëroi se ka zgjatur kontratën e lojtarit deri në fund të vitit 2013, por pa dhënë detaje ekonomike, edhe pse përflitet për një dyfishim apo trefishim të rrogës që përfiton aktualisht.
Ish-fituesi i “Topit të Artë” nënshkroi me Atletiko Mineiro në qershor të këtij viti dhe arriti të mbante këtë skuadër në luftën për titullin kampion deri në javët e fundit të kampionatit brazilian, duke luajtur në 31 ndeshje gjatë cilave shënoi 9 gola.
“Po qëndroj këtu pasi po kaloj një moment të shkëlqyer në këtë klub. Të gjithë më kanë trajtuar shumë mirë e sidomos tifozët”, tha ai.
Atletiko Mineiro ka mundësinë që në dy javët e fundit të mbrojë vendin e dytë në kampionat, një aktivitet të cilin nuk e fiton që në vitin e largët 1971 dhe shpreson që më ndihmën e Ronaldinjos t’i afrohet më shumë fitores së tij në sezonin e ardhshëm. (LajmeShqip.com)
Thursday, 29 November 2012 11:01