Andre Vijas Boas nuk hodhi poshtë mundësinë e shitjes së mesfushorit të Totenhem, Garet Beil, pas paraqitjes së tij të jashtëzakonshme ndaj Liverpulit, që i siguroi fitoren 2-1 londinezëve.
Sipas trajneri portugez, do të ishte shumë e vështirë të mbahej lojtari, nëse 23 vjeçari do të kërkohej nga klubet e mëdha evropiane.
“Për momentin, ai po paraqitet jashtëzakonisht mirë për Totenhem dhe jemi të mahnitur nga ajo që mund të bëjë për ne. Atë e pret një karrierë e shkëlqyer”.
“Sigurisht, Totenhemi si klub do të dëshironte ta mbante këtu për sa më gjatë të jetë e mundur, por ne e kuptojmë që lojtarë si ai kanë oferta dhe një treg, që bën pjesë në natyrën e lojës”.
Uellsiani ishte i jashtëzakonshëm në minutat e parë të ndeshjes, ku fillimisht dribloi dy kundërshtarë dhe dha pasimin për golin e avantazhit të Lenon. Më pas, ai dyfishoi rezultatin me një goditje dënimi perfekte, që ngjante shumë me ato të Kristiano Ronaldo, pasi lojtari ka pranuar më parë se inspirohet prej portugezit. Vijas Boas tregoi se sheh shumë gjëra të ngjashme mes dy futbollistëve.
“Lojtarët mësojnë nëpërmjet gjërave që shohin. Me Ronaldon ne mësuam se mund të gjuash edhe poshtë topit dhe ai fiton një efekt rënie ku ndryshon drejtim. Beil ka forcën ta bëjë një gjë të tillë, ai vazhdon ta praktikojë këtë teknikë dhe ne jemi të lumtur që kemi në gjirin tonë një lojtar të tillë”. (LajmeShqip.com)
Thursday, 29 November 2012 10:32