Ish-sulmuesi i kombëtares braziliane, Romario, i ka uruar fat Luiz Felipe Skolarit dhe Karlos Alberto Parreiras me detyrat e reja në të cilat pritet të emërohen sot në drejtimin e kombëtares së Brazilit.
I pari pritet të emërohet trajner i Brazilit, ndërsa i dyti do të marrë postin e drejtorit teknik, pas largimit nga detyra të Mano Menezes dhe Andres Sançez.
“I uroj fat dy miqve të mi Parreira dhe Skolari. Faleminderit Zotit që këto të paaftët e Federatës goditën në shenjë të paktën një herë. Jam i sigurt tani se gjërat e gabuara që ndodhën nën drejtimin e Menezes nuk do të ndodhin përsëri. Ata do të grumbullojnë lojtarët më të mirë të mundshëm për Brazilin”, ishte komenti i Romarios, një prej kritikëve më të ashpër të Menezes gjatë të gjithë periudhës kur ky i fundit drejtoi kombëtaren braziliane.
Ndonëse emërimi i Skolarit dhe i Parreiras nuk është bërë ende zyrtar, pritet që ai të kryhet gjatë ditës së sotme ose maksimumi nesër, pasi të sqarohen detajet e fundit financiare mes palëve.
Skolari është trajneri i fundit që i ka dhënë titullin Kampion Bote Brazilit, në vitin 2002, ndërsa nën drejtimin e Parreiras, kjo kombëtare fitoi Kupën e Botës në vitin 1994. (LajmeShqip.com)
Thursday, 29 November 2012 09:31