“Askush nuk më ka dhuruar më shumë lumturi se Interi. Kur jam larguar, kam qarë më shumë se një herë. Zemra ime mbetet në Milano, për Interin kam një nostalgji që është gjithmonë e pranishme”.
Këto janë fjalët e Zhoze Murinjos në një intervistë të lëshuar për televizionin portugez “TV1”, ku ka pranuar se arsyeja e vetme për të cilën ka vendosur të largohej nga zikaltërit ishte pak më shumë famë. “Nëse fiton me Real Madrid, hyn në histori”, tha portugezi.
Murinjo më pas ka kujtuar një anekdotë të periudhës kur drejtonte skuadrën zikaltër dhe festimet e titullit të parë kampion në Itali.
“Titullin e parë si trajner i Interit nuk e kemi fituar në fushë, po në stërvitje. Në fakt ishim në qendrën e “Apiano Xhentile” duke u përgatitur për ndeshjen e të nesërmes kur mësuam se Milani, ndjekësi më i afërt, kishte humbur dhe ishim matematikisht kampionë. Ne duhej të luanim një ditë më pas me Sienën, por tifozët kishin filluar festën dhe ishin mbledhur në sheshin e Milanos, ndërsa kërkonin që edhe ekipi të shkonte atje”.
“Mendova që po të shkonim, do të ktheheshim në klub në orën 4 të mëngjesit, ndaj dhashë urdhrin që asnjë të mos lëvizte dhe të gjithë të shkonim të flinim. Kur shkova në dhomë për t’u shtrirë, troket në derë Hulio Sezar. “Mister, duhet të shkojmë në Piazza Duomo, na presin mijëra vetë. Nëse nuk shkojmë, nuk do të fitosh më asgjë në jetën tënde”, ishte thirrja e tij që mua më ngjau një mallkim, edhe pse nuk jam supersticioz”.
“Atëherë vendosa të shkoj me të gjithë skuadrën, tifozët u çmendën kur na panë në shesh. Jemi kthyer në “Apiano” në orën 3 të mëngjesit, por atë pasdite, lojtarët ishin fantastikë, duke dhënë shpirtin në fushë që të ruanin pathyeshmërinë dhe të mos thuhej që ishin mundur kampionët e rinj të Italisë, ndonëse kishin kaluar gjysmën e natës pa gjumë. Kujtime si këto më japin shumë nostalgji. Tani gëzoj ende për çdo fitore të Interit dhe vuaj për çdo humbje”, ishte tregimi i Murinjos për periudhën me zikaltërit. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 28 November 2012 19:50