Liga e Kampioneve mund të kthehet në një aktivitet të jashtëzakonshëm më fitimprurës, nëse Mishel Platini arrin të zbatojë me sukses idenë e tij për të bashkuar turneun aktual me Europa League.
Presidenti i UEFA-s ka pranuar se po merr në shqyrtim idenë e ndryshimit të aktiviteteve evropiane për klube, duke lënë të kuptohet se kjo ishte kundërpërgjigje e qartë e iniciativës së mundshme të klubeve të famshme evropiane për të krijuar një kampionat elitar krejtësisht të tyrin.
“Ka një debat të vazhdueshëm rreth përcaktimit të formës që do të kenë kompeticionet evropiane në periudhën 2015-2018”, tha ai për gazetën franceze “Ouest-France”. “Ne po diskutojmë variantet dhe do të marrim një vendim në vitin 2014. Por asgjë nuk është vendosur ende”.
Një nga opsionet më të diskutuar është kthimi i fazës në grupe të Ligës së Kampioneve nga 32 skuadra në 64 skuadra, që do t’i mundësonte më shumë skuadrave të kampionateve elitare të merrnin pjesë në këtë aktivitet, me vende si Spanja dhe Anglia që mund të përfaqësohen deri me 7 ekipe.
Ndërkohë, Europa League sjell shumë më pak të ardhura dhe kjo është arsyeja pse është kritikuar vazhdimisht që me krijimin e saj në vitin 2009, pasi zuri vendin e Kupës UEFA. Një fakt i tillë shihet edhe kur ekipet e mëdha marrin pjesë në këtë aktivitet pasi janë eliminuar nga Liga e Kampioneve, duke e injoruar plotësisht dhe duke zgjedhur shpesh të luajnë me lojtarët e rinj.
Ndërkohë Platini nuk duket i shqetësuar nga formimi i një kampionati paralel nga klubet më të pasura evropiane.
“Kjo është një çështje që shfaqet shpesh në skenë, por ajo nuk më shqetëson. Nuk e shoh të realizueshme jashtë juridiksionit të UEFA-s. Kush do t’i gjykojë ndeshjet? Në cilat stadiume do të luajnë? A e duan njerëzit një gjë të tillë? Unë them se jo”. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 28 November 2012 19:10