Arsen Venger është gati të duelojë me milionat e Mançester Sitit për të sjellë në Londër Uilfrid Zaha, djaloshin që po mahnit të gjithë te Kristal Palas dhe ka siguruar që tani një ftesë nga kombëtarja angleze.
Fakti që vetë lojtari ka pranuar se është një tifoz i Arsenalit, i ka bërë të besojë trajnerit të kësaj skuadre se mund ta bindë futbollistin të veshë fanellën e “topçinjve”.
Javën e kaluar, mediat britanike raportuan se Roberto Mançini kishte dhënë pëlqimin e tij për futbollistin dhe kishte bërë një ofertë të parë prej 15 milion eurosh për 20 vjeçarin. Në favor të Mançester Sitit është fakti se kjo skuadër është gati ta lërë në huazim deri në fund të sezonit të Kristal Palas.
Por Venger tashmë ka bërë gati një “paketë” prej 10 milion eurosh, plus bonuse të tjera që kanë lidhje me paraqitjen e tij dhe arritjet e skuadrës, duke kërkuar që të marrë që në janar lojtarin. Trajneri francez do të ishte gati edhe të linte huazim lojtarin te Kristal Palas, ndonëse do të preferonte ta kishte në dispozicion futbollistin për pjesën e dytë të këtij sezoni.
Tashmë është në dorën e Zaha të zgjedhë kur të shkojë, pasi edhe ekipe të tjera si Liverpul e Totenhem kanë dërguar shpesh vëzhgues për të parë nga afër lojtarin që po mahnit në kategorinë e dytë angleze. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 27 November 2012 14:38