Mediat spanjolle kanë bërë të ditur se Zhoze Murinjo nuk ka filluar të bëjë planifikimin e sezonit të ardhshëm të Real Madrid, ashtu siç kishte bërë në këtë periudhë një vit më parë, duke shtuar spekulimet për një largim të mundshëm të trajnerit portugez.
Ky i fundit, është shfaqur vetë në konferencën për shtyp para ndeshjes së Kupës së Mbretit ndaj Alkoiano, duke shpjeguar marrëdhënien e tij me drejtuesit e skuadrës.
“Unë nuk dua të flas për asgjë. Klubi është sovran dhe unë jam vetëm një i punësuar. Është klubi ai që duhet të vendosë nëse është i kënaqur me mua apo jo”, tha Murinjo duke iu referuar faktit se skuadra e tij është që tani shumë larg Barcelonës në luftën për titullin kampion.
“Ndoshta në fund të sezonit, klubi nuk do të jetë i kënaqur me punën time dhe mund të mendojë se ka gjëra që duhen përmirësuar dhe ndryshuar. Personalisht, kam një raport shumë të mirë me presidentin Perez, me shefin Hose Angel dhe njerëz të tjerë në bordin drejtues. Kjo marrëdhënie nuk mund të jetë më e mirë se kaq”, deklaroi trajneri i Realit.
“Marrëdhënia ime me lojtarët? Ajo është e njëjtë me atë para ndeshjes me Betis, nuk e kuptoj këtë pyetje Kur fiton, gjërat janë shumë më të mira se kur humbet, kjo është normale”, ishte batuta e Murinjos që më pas ka evituar çdo pyetje për ndeshjen ndaj Betis dhe kampionatit, duke iu përgjigjur vetëm atyre për ndeshjen e Kupës së Mbretit. (LajmeShqip.com)
Monday, 26 November 2012 16:15