Drejtuesit e Juventusit tashmë duhet të mendojnë jo vetëm si të ruhen nga rivalët në luftën për titull, por edhe të qetësojnë skuadrën e cila është tensionuar dukshëm pas humbjes së dytë të këtij sezoni.
Mediat italiane raportojnë se në pushimin e ndeshjes ka patur një përplasje aspak të këndshme mes mesfushorit Markizio dhe mbrojtësit Bonuçi, në tunelin që të çon në dhomat e zhveshjeve.
“Po humbasim për fajin tënd”, ishte fraza e Marikizios, i cili është irrituar nga kritikat e mbrojtësit që po nxiste lojtarët e repartit të avancuar të tentonin portën dhe jo thjesht të pasonin mes njëri-tjetrit.
Sikur të mos mjaftonte kjo, ekziston edhe ajo që quhet “çështja Kualjarela”, me sulmuesin që ka reaguar pas zëvendësimit të tij duke mbuluar gojën dhe duke lëshuar disa fraza në adresë të asistenti të Konte, Anxhelo Alesio, kur po kalonte pranë këtij të fundit. Kualjarela është mërzitur me faktin që ai zëvendësohet gjithmonë i pari, edhe kur luan mirë, ndërsa Vuçiniç apo Xhovinko vazhdojnë të qëndrojnë në fushë edhe kur gabojnë.
Vetë Alesio e ka minimizuar situatën, duke sqaruar se nuk i kishte dhënë rëndësi episodit. “Nuk e di se çfarë më ka thënë, nuk dëgjova asgjë, unë po shihja ndeshjen”, ishte komenti i tij. (LajmeShqip.com)
Monday, 26 November 2012 15:32