Olivier Zhirud shpreson që Tierri Henri të bëhet përsëri pjesë e Arsenalit në janar, që të luajë përkrah tij. Sulmuesi francez po stërvitet me ish-skuadrën e tij gjatë pushimit të kampionatit amerikan, ku aktivizohet me Nju Jork Red Bulls, ndërsa trajneri Venger nuk e ka cilësuar si të pamundur rikthimin tij në skuadër, në një eksperiencë të njëjtë me atë të vituit të kaluar.
“Henri ndjen mungesën e entuziazmit të kampionatit anglez”, deklaroi Zhirud, i cili i është bashkuar Arsenalit gjatë verës. “Kam folur me të shpesh por nuk më ka thënë nëse do të kthehet apo jo. Për mua, personalisht, do të ishte një gëzim i madh të luaja përkrah tij”, theksoi lojtari që tashmë aktivizohet edhe në kombëtaren franceze, pikërisht në rolin që ka lënë bosh Henri.
Zhirud ka arritur të shënojë 4 gola në 5 ndeshjet e fundit të luajtura për Arsenalin dhe pranon se më në fund po arrin të përshtatet me jetën në kampionatin anglez, pas transferimit për 12 milion paund nga Montpelje.
“Më duhet të përmirësoj vazhdimisht statistikat e mia. Kam qenë i duruar dhe kam punuar. Kur vjen në një klub të ri, të duhet kohë për t’u përshtatur. Edhe vetë Henri e përjetoi një situatë të tillë. Do të ishte shumë bukur sikur unë të arrija qoftë edhe gjysmën e asaj që ka arritur Henri këtu, ai është një legjendë”, tha lojtari francez. (LajmeShqip.com)
Monday, 26 November 2012 14:30