Trajneri i Interit, Andrea Stramaçioni, ka mbrojtur vendimin e tij për të lënë jashtë skuadre holandezin Uesli Shnajder para ndeshjes së sotme kundër Parmës. Drejtuesit e skuadrës kanë bërë të ditur se ky vendim nuk ka të bëjë me dëmtimin e futbollistit, por me diskutimet rreth kontratës së tij të re me këtë ekip.
Sipas asaj që raportohet nga mediat, lojtarit i është kërkuar të rinovojë kontratën duke ulur rrogën, në të kundërt do të nxirret në shitje në janar, një vendim që Stramaçioni mendon se duhet respektuar.
“Unë flas çdo ditë me Shnajder dhe me presidentin tonë, ndaj jam në dijeni të të gjithë situatës. Mendoj se ajo po qartësohet më në fund. Si një klub, gjatë verës, Interi vendosi të caktonte udhëzues të mirëfilltë për lojtarët, të cilët i respektuam gjatë fushatës së blerjeve”, tha ai rreth uljes së shpenzimeve ekonomike të zikaltërve që larguan thuajse të gjithë futbollistët që kishin rroga të larta.
“Ideja është që klubi duhet respektuar, por sigurisht duke kuptuar edhe pozitën e lojtarit. Tani po flitni me një person që vlerëson Shnajder në aspektin personal, futbollistik dhe njerëzor, gjë të cilën e di edhe ai”.
“Këtu nuk ka asgjë personale në mes, por ju duhet të kini parasysh edhe pozitën time, atë të trajnerit, i cili nuk duhet të zgjedhë një lojtar duke u bazuar vetëm te paraqitja e tij në fushën e lojës. Kjo është një zgjedhje teknike e kryer mbi analizën time të situatës, që shpresoj të zgjidhet sa më shpejt”, ishte komenti i Stramaçionit rreth kësaj çështje që ka shqetësuar klubin por edhe tifozerinë e Interit, pasi Shnajder është një prej protagonistëve të sezoneve të suksesshme të zikaltërve në vitet e kaluara. (LajmeShqip.com)
Monday, 26 November 2012 11:01