Jurgen Klinsman ka pranuar se shumë shpejt mund të aplikojë për të marrë nënshtetësinë amerikane të ardhmen, duke i dhënë lamtumirën asaj gjermane, pasi me ligjet e vendlindjes së tij, dy nënshtetësi nuk pranohen.
Ish-futbollisti 48 vjeçar i Gjermanisë ka disa vite që jeton në SHBA, ndërsa mori në vitin 2011 drejtimin e kombëtares së këtij vendi, pasi kishte provuar më parë të drejtonte Bajern Mynih dhe përfaqësuesen gjermane.
“Është shumë e mundur që në të ardhmen unë të marr nënshtetësinë amerikane. Do të duhet pak kohë, pasi është një proces i gjatë”, zbuloi ai për “Bild”.
“Futbolli nuk është sporti kryesor në këtë vend. Ne jemi përmirësuar dhe kemi arritur disa nga sportet e tjera, por unë mund të vazhdoj të jetoj në qetësi në anonimitet në këtë vend”, tha Klinsman, i cili gjatë të gjithë bisedës i referohej vetes si një amerikan dhe jo si një gjerman, aq sa ka zbuluar se pret me padurim miqësoren kundër Gjermanisë për t’i treguar se sa ka evoluar futbolli në “vendin e tij”.
“Pres me padurim ndeshjen e majit. Ne mund t’i tregojmë Gjermanisë se sa para është zhvilluar futbolli ynë këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ishte komenti i ish-lojtarit që ka fituar një Botëror dhe një Evropian me fanellën e Gjermanisë, për të cilën ka luajtur 108 ndeshje dhe ka shënuar 47 gola. (LajmeShqip.com)
Sunday, 25 November 2012 15:24