Hektor “Maço” Kamaço është ndarë nga jeta pasi mjekët e spitalit të Rio Piedras kanë shkëputur makineritë që e mbanin në jetë. Doktori Ernesto Torres ka shpjeguar se ish-boksieri ka pësuar një atak kardiak në orët e para të mëngjesit të së shtunës dhe më pas është ndarë nga jeta pasi stafi vendosi të shkëpuste përfundimisht makineritë që e mbanin në jetë atë.
Në fakt, vendimi për të shkëputur makineritë ishte marrë që dy ditë më parë, pasi të enjten u deklarua se truri i tij kishte vdekur, pavarësisht ndërhyrjeve të njëpasnjëshme kirurgjikale pasi e kishin qëlluar me armë në kokë pak ditë më parë.
“Djali im ka vdekur tre ditë më parë, tani është gjallë vetëm falë makinerive”, shpjegonte dje nëna e boksierit të njohur të viteve ’90. Në të gjithë familjen, vetëm djali i tij i madh kërkonte që makineritë të qëndronin në punë sa më gjatë që të ishte e mundur. “Ai është një boksier, do të luftojë deri në fund”, ishin fjalët e Kamaço Xhunior, por babai i tij këtë radhë e ka humbur duelin më të rëndësishëm.
Kamaço u qëllua me armë zjarri në kokë të martën, ndërsa gjendej në makinën e tij në rrugët e qytetit të vendlindjes, Bajamon në Portoriko. Policia po heton pista të ndryshme, mes të cilave edhe atë të trafikut të drogës. (LajmeShqip.com)
Sunday, 25 November 2012 11:50