Klubi i Çelsit refuzoi t’i kërkonte falje gjyqtarit Mark Klatenburg, pasi e akuzoi në mënyrë të padrejtë për racizëm ndaj Obi Mikel. Federata Angleze mbylli dje hetimin trejavor të kësaj ngjarje që ndodhi me 28 tetor në takimin mes Çelsit dhe Mançester Junajtid, duke shpallur plotësisht të pafajshëm gjyqtarin i cili akuzohej se kishte quajtur “majmun” mesfushorin Obi Mikel. Në vend të gjyqtarit, është pikërisht mesfushori ndaj të cilit mund të merren masa disiplinore, për telashet që shkaktoi pas ndeshjes kur kërkoi të hynte me dhunë në dhomën e gjyqtarëve.
Por edhe pasi Federata Angleze bëri publik vendimin e saj, Çelsi përsëri nuk pranoi të kërkonte falje para gjyqtarit 37 vjeçar, i cili pas rreth një muaji vendosi të dilte dhe të fliste publikisht rreth ngjarjes që rrezikoi t’i shkatërronte karrierën.
“Pres me padurim të hedh pas krahëve këtë ngjarje dhe të përqendrohem te gjykimi në Premier League dhe në turne të tjerë. Mesazhet e inkurajimit nga persona brenda dhe jashtë futbollit më kanë ndihmuar shumë në periudhën më stresuese të jetës time profesionale”.
“Të dish se je i pafajshëm është një gjë, por ishte më frikësuese të ishe i ndërgjegjshëm që kjo gjë mund të shkatërronte karrierën tënde. Racizmi nuk ka vend në futboll dhe kjo eksperiencë nuk duhet t’u heqë kurajën njerëzve që mendojnë se janë viktima të abuzimit që të dalin dhe të flasin. Jemi me fat që punojmë në kampionatin më të ndjekur dhe më të kontrolluar të futbollit në botë”, ishte komenti publik i gjyqtarit anglez që mban stemën e FIFA-s.
Në mbrojtje të gjyqtarit, dje ka dalë edhe Unioni i Gjyqtarëve Angleze, që ka bërë të ditur se do të hapë një padi penale ndaj klubit të Çelsit, në mënyrë që Klatenburg të dëmshpërblehet për ndotjen e figurës së tij nga klubi londinez si dhe do të detyrojë klubin që të bëjë një donacion të madh për fushatat anti-racizëm në kampionatin anglez të futbollit.
Vendimi i Federatës Angleze erdhi pasi u panë të gjitha pamjet filmike të ndeshjes, ndërsa u mor përsëri në pyetje dëshmitari kryesor, mesfushori Ramires, i cili më pas pranoi se nuk ishte i sigurt rreth asaj që kishte dëgjuar në fushën e lojës. Ndonëse Ramires ishte shkaktari i gjithë kësaj meseleje, Federata Angleze vendosi mos ta ndëshkojë atë, pasi mendoi se braziliani ka vepruar në mirëbesim dhe keqkuptimi mund të ketë ardhur nga fakti që nuk flet edhe aq mirë gjuhën angleze. (LajmeShqip.com)
Friday, 23 November 2012 09:40