Zhoze Murinjo nuk ka kursyer polemikat kundër gjykimit të italianit Xhanluka Roki, i cili dha një penallti mjaft të diskutueshme kundër Real Madrid në ndeshjen me Mançester Sitin. Trajneri i madrilenëve ka preferuar të komentojë ironikisht punën e italianit, që e njihte mirë që në periudhën kur drejtonte Interin.
“E njoh mirë që në një derbi me Milanin. Prej tij luajtëm thuajse gjithë ndeshjen me 10 lojtarë, ndërsa në fund ndëshkoi edhe një tjetër duke na bërë ta mbyllin takimin me 9 futbollistë, ndërsa na dha edhe një penallti joekzistuese kundër”.
“Gjykimi i sotëm? Kam humbur një gjysmëfinale me një gol që nuk ekzistonte, një tjetër kur Pepe i theu tibien dhe peronin Dani Alvesh, të tjera të humbura me penallti. Unë kam luajtur në Barcelonë për një orë me 10 lojtarë, këtu ishin vetëm 20 minuta. Kjo është një ndeshje që mund të klasifikohet mes të pranueshmeve, jo mes atyre dramatike”, komentoi ai me ironi gjykimin e ndeshjes.
“Këtë radhë ndodhi kjo penallti, që gjendej në krah të portës, 10 metra nga asistenti i vijës. Por duhet të qëndroj i qetë. Kam ende një sanksion “të ngrirë” nga UEFA, të cilën dua ta falënderoj për dhuratën që më bëri për 100 ndeshjet e mija, ishte një pllakatë shumë e bukur. U kujtuan për mua. Imagjinojeni se çfarë do të kishte ndodhur nëse do të ishim ne ata që do të largoheshin nga ky grup”, ishte komenti polemizues i Murinjos.
Në fund, trajneri u ka kujtuar të gjithëve se në këto momente nuk ishte e rëndësishme që të kualifikoheshe si i pari apo iu dyti në grup. “E dinim që një pikë na mjaftonte për t’u kualifikuar pa rrezikuar dhe mbrojtëm rezultatin në minutat e fundit. Kur kam fituar Ligën e Kampioneve me Porton dhe me Interin, e kam mbyllur fazën në grupe në vendin e dytë, ndaj nuk kam pse të shqetësohem. Skuadrat e mëdha kanë bërë një punë të mirë, duke fituar grupet e tyre për të synuar një kundërshtar më të lehtë në fazën tjetër të turneut, por tani zbulojnë se do të kenë para Real Madrid”, ishte komenti i trajnerit portugez. (LajmeShqip.com)
Thursday, 22 November 2012 10:45