Roberto Di Mateo ka zgjedhur të mos bëjë polemika për shkarkimin e tij nga drejtimi i Çelsit, ndërsa ka përshëndetur të gjithë ata që e kanë mbështetur në këto 6 muaj në drejtimi ekipit londinez. Nëpërmjet një deklarate të dhënë në faqen e klubit të Unionit të Trajnerëve të kampionatit anglez, ai ka dhënë mendimet e tij rreth vendimit të Abramoviç për ta larguar nga drejtimi i skuadrës.
“Ka qenë një nder për mua të emërohesha trajner i një klubi ku kam luajtur me krenari e që bën pjesë të zemrës time. Jam shumë krenar për sukseset dhe trofetë që kam arritur të fitoj në muajt e fundit. Fitorja e Ligës së Kampioneve në Mynih ka qenë momenti më i bukur i historisë së klubit dhe karrierës time, si lojtar dhe si trajner. Dua të falënderoj të gjithë stafin, të gjithë ish-futbollistët e mi dhe tifozët e Çelsit për mbështetjen e tyre. I uroj atyre shumë fitore, në këtë sezon dhe në ato në vazhdim”, janë fjalët e trajnerit që pritet të ulet në bisedime me Abramoviç për dëmshpërblimin ekonomik që i detyrohet klubi meqë e ka shkarkuar nga detyra para kohe.
Sipas mediave angleze, vendimi i Abramoviç ka ardhur pasi trajneri italian vendosi të linte në stol Fernando Torres në ndeshjet e fundit, ndonëse aktivizimi i tij ishte një kërkesë e drejtpërdrejtë e miliarderit rus. (LajmeShqip.com)
Thursday, 22 November 2012 09:15