Roberto Di Mateo do ta paguajë shtrenjtë një eliminim të shpejtë nga Liga e Kampioneve, pasi mediat britanike janë të sigurta se Rafael Benitez po bëhet gati të zërë vendin e italianit, nëse Pep Guardiola refuzon të marrë drejtimin e skuadrës angleze para verës.
Humbja 3-0 në Torino përballë Juventusit lë skuadrën angleze në një pozicion të vështirë dhe unik, pasi mund të kthehet në fituesin e parë në fuqi të Ligës së Kampioneve që nuk kalon fazën në grupe. Jo rastësisht, Roberto Di Mateo u shfaq para gazetarëve 75 minuta pas përfundimit të ndeshjes, një kohë e gjatë për të menduar atë që kishte ndodhur dhe si në 5 ndeshjet e fundit të luajtura, skuadra e tij ka dorëzuar kreun e renditjes në kampionatin anglez dhe rrezikon të largohet nga turneu më i rëndësishëm për klube në Evropë.
“Ky është një zhgënjim i madh për skuadrën dhe klubin. Duhen bërë shumë reflektime, por unë jam përgjegjësi për rezultatin dhe performancën. Kjo është një mbrëmje negative dhe nëse dikush duhet të marrë përsipër fajin, ai jam unë. Përzgjodha një skuadër që mendoja se do të fitonte apo barazonte”, ishte autokritika e Di Mateos.
Por tani të gjithë e dinë që ëndrra e Roman Abramoviç është Pep Guradiola. Megjithatë, në rast se spanjolli do të insistojë për të qëndruar pushim deri në fund të sezonit, atëherë pronari i Çelsit ka zgjedhur të fillojë bisedimet me Rafael Benitez, për të bindur këtë të fundit të marrë drejtimin e ekipit nëse vendos të shkarkojë Di Mateon. Prova e fundit për trajnerin italian është ndeshja e fundjavës kundër Mançester Sitit, ku çdo rezultat tjetër përveç fitores do të cilësohet disfatë dhe tekniku italian me shumë mundësi do t’i japë lamtumirën ekipit. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 21 November 2012 12:40