Bota e futbollit do të kujtojë gjatë vitin 2012, si atë në të cilin Lionel Mesi ka thyer rekorde të panumërta me golat e tij. 25 vjeçari i Barcelonës, me dy golat e tij ndaj Spartak Moskës, është ngjitur në vendin e dytë të renditjes të të gjitha kohëve të golashënuesve të Ligës së Kampioneve.
Argjentinasi çoi në 56 numrin e golave të shënuar në këtë aktivitet, duke barazuar në vendin e dytë legjendën holandeze, Rud Van Nistelroi, një prej emrave më të njohur të futbollit evropian në dekadën e fundit.
Vetëm spanjolli Raul ka më shumë gola të shënuar në karrierë në këtë aktivitet, plot 71 të tillë, ndërsa Mesi barazoi një tjetër rekord të spanjollit, duke shënuar në 19 qytete të ndryshme në aktivitetin evropian. Megjithatë, edhe Raul i dorëzoi një rekord argjentinasit, i cili kaloi ish-sulmuesin e Real Madrid duke u bërë futbollisti i parë që shënon dy apo më shumë gola në 15 ndeshje të aktivitetit.
Mesi ka qenë golashënuesi më i mirë i Ligës së Kampioneve në katër edicionet e fundit, ndërsa vitin e kaluar vendosi rekordin me 14 gola të shënuar. Ndërkohë, ai mbetet 5 gola larg rekordit të Myler, që ka shënuar 85 të tillë në një vit kalendarik.
Por lojtari nuk mendon si të thyejë rekordin e radhës, që do ta kthente praktikisht në sulmuesin më rezultativ të të gjithë kohëve.
“Rekordi i Myler? Skuadra është shumë më e rëndësishme. Thjesht u munduam të shmangnim një tjetër ndeshje si me Sëlltikun”, ishin fjalët e vetë lojtarit, të cilat u mbështetën edhe nga deklarata e trajnerit Vilanova.
“Mesi nuk luan për të thyer rekorde, luan për të ndihmuar skuadrën të fitojë”, tha tekniku katalanas. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 21 November 2012 10:32