Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, ka bërë të qartë se Tierri Henri mund të huazohet përsëri te skuadra e tij nga Nju Jork Red Bulls në muajin janar, ashtu siç bëri një vit më parë.
“Ai është stërvitur me ne”, konfirmoi Venger për faqen e klubit. “Nuk di a do ta huazojmë në janar apo jo, por nuk e përjashtoj një mundësi të tillë pasi ai duket në formë”.
35 vjeçari përjetoi një kthim të suksesshëm një vit më parë te ish-klubi i tij ku ka shënuar shifrën rekord të 228 golave, pasi në një muaj te “topçinjtë” shënoi kundër Lids në Kupën FA dhe më pas i dha fitoren ekipit me golin e minutës së fundit ndaj Sandërlend.
Venger tërhiqet nga ideja për të patur në dispozicion futbollistin francez, edhe për faktin se nuk do të ketë në dispozicion gjatë janarit sulmuesit Gervinjo dhe Çamakh, të cilët do të marrin pjesë në Kupën e Afrikës.
“Vitin e kaluar vendosa për Henri pasi nuk kishim Gervinjo. Por këtë vit nuk do të kemi përsëri Gervinjo pasi merr pjesë për të dytin vit radhazi në Kupën e Afrikës. Ndaj mund të përballemi me mungesë lojtarësh në repartin e avancuar, sidomos nëse ikën edhe Çamakh”.
“Të gjithë e dimë se çfarë arrin të dhurojë Henri. Ai të jep shpresë, sidomos në momentin kur futet në fushën e lojës. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Ai është një komunikues, shumë inteligjent. Ai mund t’u japë vetëm këshilla të mira lojtarëve tanë, pasi ka qenë në të njëjtin pozicion kur erdhi këtu për herë të parë”, shpjegoi Venger. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 21 November 2012 10:30