Sep Blater u ka bërë të qartë anglezëve se duhet të fillojnë të luten nëse shpresojnë që të marrin ndonjëherë përsipër organizimin e një Kampionati Botëror. Federata Angleze kishte provuar të siguronte Botërorin 2018, por u mund keqazi nga kandidatura ruse, e cila siguroi Botërorin ndonëse jo pa polemika të ashpra.
Anglia nuk mund të hedhë kandidaturë për organzimin e Botërorit deri të paktën pas Botërorit 2026, ndërsa Blater sugjeron që britanikët t’i kthehen Zotit me shpresën se mund t’ua plotësojë ëndrrën.
“Një nga perënditë, zoti i futbollit ndoshta, është i vetmi që e di. Do të pyes Jozef Ratzinger (Papën). Ju e dini kush është Jozef Ratzinger, apo jo?”, tha ai për “London Evening Standard”.
“Do ta pyes atë. Ai flet çdo ditë në mëngjes me Zotin ndaj mund të më tregojë”, ishte komenti i Blater që pritet të shkaktojë polemika të shumta.
Megjithatë, Blater bëri të qartë se anglezët duhet të mësohen me idenë e pranimit të humbjes dhe se të tjerët kanë të drejtë po aq sa ata për të zhvilluar një Botëror.
“Në këtë lojë, duhet edhe të pranosh humbjen. Anglia na ka dhënë ne jo vetëm këtë lojë të bukur, por edhe termin fair play, që do të thotë të pranosh humbjen. Anglia duhet të pranojë faktin se ka marrë vetëm dy vota, një prej të cilave nga një anglez që gjendet në Komitetin Ekzekutiv. Nuk jam unë që nuk e desha Anglinë, atë nuk e deshi komuniteti”, ishte komenti i Blater. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 20 November 2012 16:04