Andrea Pirlo ka zbuluar në një intervistë për “Daily Mail” se 3 vite më parë ai mund të ishte bërë një futbollist i Çelsit, i kërkuar me ngulm nga Karlo Ançeloti në momentin kur firmosi për skuadrën londineze.
Sipas futbollistit, bisedimet kanë qenë në një fazë aq të avancuar sa ai filloi edhe të negocionte për rrogën e tij, derisa Milani vendosi të mos e shiste, duke e lënë çuditërisht dy vite më vonë të largohej falas drejt Juventusit.
“Në fakt ishte Milani që nuk më la të ikja drejt Çelsit. Kam një lidhje të fortë me Ançelotin ndaj isha vazhdimisht në kontakt me të kur shkoi te Çelsi, ashtu si kam kontakte tani që është te PSZH. Unë kisha filluar edhe të negocioja me njerëzit e Çelsit, kur Milani përfundimisht vendosi të mos më linte të largohesha. Kjo është arsyeja pse qëndrova në Itali”.
“Sigurisht, do të kishte qenë një eksperiencë ndryshe që do të më kishte pëlqyer, sidomos për faktin se atëherë isha 30 vjeç. Por fatkeqësisht nuk u realizua. Në të ardhmen? Nuk i dihet asnjëherë, di që kam edhe dy vite kontratë me Juventusin. Por më pëlqen shumë kampionati anglez dhe nuk do ta kisha të vështirë të përshtatesha me atë lloj loje”, pranoi 33 vjeçari që nesër do të përballet në Ligën e Kampioneve me atë që mund të kishte qenë skuadra e tij.
Në fund, mesfushori italian ka zbuluar se lojtari i tij i preferuar anglez ishte Uejn Runi, ndërsa do të kujtonte gjithmonë me nostalgji katër futbollistët më të fortë përkrah të cilëve kishte patur fatin të luante në karrierën e tij: Paolo Maldini, Roberto Baxho, Ronaldo dhe Andri Shevçenko. (LajmeShqip.com)
Monday, 19 November 2012 15:30