Sër Aleks Ferguson ka çuditur të gjithë duke deklaruar se është një “kampion kontrabande”, pasi fut vazhdimisht mallra në Angli pa kaluar nëpërmjet doganës, sa herë që ekipi i tij luan jashtë.
Sipas teknikut të Mançester Junajtid, ai ka arritur gjithmonë të kursejë duke blerë edhe gota kristali jashtë Anglisë, pasi dogana nuk kontrollon asnjëherë çantën e tij falë famës që ka.
“Unë kam sjellë shumë gjëra në Angli me vete. Askush nuk kontrollonte disa vite më parë. Hipje në avion dhe kishe rreth e rrotull kuti me gjëra, edhe çantën e kishe të mbushur plot. Askush nuk shqetësohej nga gjëra të tilla”, tregoi ai, duke zbuluar se si kontrabanda bëhej nga të gjithë edhe në periudhën kur ishte futbollist.
Duke kujtuar kohët e vjetra, Ferguson që ka luajtur për herë të parë në Kupat e Evropës si futbollist i Dunfermlin në vitit ’60, zbulon se si udhëtimet e atëhershme ishin shumë larg asaj që përjetojnë tani yjet e futbollit botëror.
“Kur shkuam një herë për të luajtur në Bilbao, në Spanjë, na u desh të merrnim autobusin pranë kufirit mes Francës dhe Spanjës. Kemi ecur për 7 orë radhazi përgjatë bregut në këtë autobus që kishte edhe ndenjëset e drunjta dhe nuk kishte as radio. Na u desh të ecnim 7 orë dhe të luanim të nesërmen, duke bërë pastaj të njëjtën rrugë mbrapsht”, tha ai.
“Tani të luash në Evropë është diçka krejtësisht ndryshe. Në kohën tonë, dilje nga shtëpia të dielën dhe ktheheshe të enjten, java e ndeshjeve të Evropës ishte shumë e gjatë”. (LajmeShqip.com)
Monday, 19 November 2012 14:51