Familja Murinjo bëhet gati për kthimin në Londër. Gazetat britanike dhe ato spanjolle kanë publikuar lajmin se gjatë ditëve të fundit, në kryeqytetin anglez kanë qëndruar gruaja dhe vajza e trajnerit portugez, më këtë të fundit që pritet të vazhdojë edukimin e saj në Kolegjin e Arteve të Kamberuell.
Sipas “Daily Star”, vajza e Murinjos ka prenotuar gjithçka për vitin e ardhshëm, ndërsa ka zgjedhur edhe lëndët që do të ndjekë si studente e këtij kolegji, pasi 16 vjeçarja dëshiron të diplomohet për arte.
Sipas mediave britanike, kjo lëvizje e familjes Murinjo është hapi i parë i teknikut për kthimin në Angli, duke filluar që nga sezoni i ardhshëm. Por gazeta “AS” ka bërë të qartë se kjo nuk do të thotë detyrimisht që do të marrë drejtimin e një skuadre angleze, pasi ekziston gjithmonë hipoteza e Paris Sent Zhërmen.
Murinjos i mjafton të udhëtojë 2 orë me trenin “Eurostar” për të kaluar nga kryeqyteti anglez në atë francez dhe projekti i miliarderëve të Katarit është mjaft tërheqës për trajnerin që dëshiron të fitojë në çdo vend që shkon. Nëse parisienët bëjnë realitet edhe blerjen e Kristiano Ronaldos, atëherë për portugezin nuk ekziston më asnjë arsye që ta mbajë të lidhur me Real Madrid, ndonëse ka një kontratë deri në vitin 2016 me klubin spanjoll. (LajmeShqip.com)
Monday, 19 November 2012 10:50