Fanella e Barcelonës do të mbajë logon e kompanisë së fluturimeve “Qatar Airways” edhe për 5 vitet e ardhshme, pasi katalanasit kanë pranuar ofertën që i ka bërë “Qatar Foundation”, parteri kryesor komercial i klubit.
Zëvndëspresidenti i zyrës së financës së Barcelonës, Havier Faus, ka zbuluar detajet ekonomike të kësaj marrëveshje shumë fitimprurëse, pasi do të përfitojë 171 milionë euro të cilat shërbejnë për të rregulluar bilancet.
“Kemi vendosur të vëmë këtë logo në fanellë pasi na është kërkuar një gjë e tillë dhe kemi detyrimin për të respektuar kërkesën e një partneri të rëndësishëm. Kjo kompani fluturimi nuk ka asnjë vlerë që bie ndesh me ato që përfaqëson klubi dhe është një logo që mund të homologohet me atë të Barcelonës”, deklaroi Faus.
Tema e sponsorizimeve në fanellën e Barcelonës ka qenë gjithmonë një çështje shumë delikate, duke parë se katalanasit nuk duan të “njollosin” ngjyrat e skuadrës së tyre me çdo lloj logoje vetëm për çështje parash dhe pak vite më parë protestuan ashpër edhe kur klubi vendosi t’i bënte reklamë falas “UNICEF-it.
Por ky vendim i klubit mund të sjellë një “luftë ajrore”, pasi partneri tjetër i rëndësishëm i skuadrës është “Turkish Airlines”, kompania turke e cila sponsorizon të gjithë udhëtimet e katalanasve dhe mund të mos i pëlqejë fakti që një tjetër kompani fluturimesh merr një rol kaq të rëndësishëm në logot e klubit katalanas. (LajmeShqip.com)
Saturday, 17 November 2012 13:20