Sulmuesi i Atletiko Madrid, Radamel Falkao, mendon se klubi i tij nuk duhet të mendojë në këtë pikë të sezonit për trofetë që mund të fitohen. Kohët e fundit është folur shpesh për largimin e mundshëm të sulmuesit kolumbian, por ai duket se është krejtësisht i përqendruar për të ndihmuar skuadrën të vazhdojë fillimin e vrullshëm të sezonit.
“Sezoni ynë ka qenë fantastik deri tani, po luajmë një futboll shumë tërheqës dhe e gjithë skuadra shpreson që edhe pjesa tjetër e sezonit ët jetë po kaq e shkëlqyer”, tha 26 vjeçari për l‘equipe.fr. “Ne po ecim mirë aktualisht, por duhet të sigurohemi që nuk do të rrëshqasim rrugës. Është shumë herët për të folur për titull, por jam i sigurt që do të jemi në majat e klasifikimit. Prioriteti ynë vazhdon të jetë kualifikimi në Ligën e Kampioneve”.
Ai më pas sqaroi se shënimi i golave për të nuk ishte aq i rëndësishëm, nëse nuk ndihmonte skuadrën në realizimin e objektivave të saj.
“Unë jam shumë i lumtur me fillimin që i kam bërë sezonit, edhe për faktin se golat e mi kanë ndihmuar ekipin të fitojë. Mendoj se kam qenë në formë të shkëlqyer që në fillim të sezonit dhe shpresoj që të vazhdojë kështu. Nuk jam i fiksuar pas numrit të golave, dua thjesht që skuadra ime të fitojë sa më shumë ndeshje që të jetë e mundur”, tha kolumbiani për skuadrën që aktualisht mban vendin e dytë në renditjen e kampionatit spanjoll. (LajmeShqip.com)
Saturday, 17 November 2012 12:01