Trajneri aktual i kombëtares së SHBA, Jurgen Klinsman, beson se Andrea Stramaçioni ka potencialin për të drejtuar ish-skuadrën e tij drejt suksesit dhe për t’u bërë një teknik i famshëm.
“Stramaçioni nuk është aq i famshëm sa Xhovani Trapatoni, Arrigo Saki, Fabio Kapelo apo Karlo Ançeloti, por ai po bën emër me punën e tij”, tha Klinsman në një intervistë për “La Gazzetta Dello Sport”. “Ai mund të fitojë titullin kampion, pasi një trajner që fiton 10 ndeshje radhazi është medoemos i mirë dhe ka pas krahëve një skuadër që e ndjek”.
Humbja 3-2 e javës së kaluar me Atalantën ktheu përsëri diferencën prej 4 pikësh me Juventusin kryesues, por Interi ka mundësinë që të afrohet nëse mund Kaljarin në këtë fundjavë. Sipas Klinsman, fitues i Botërorit 1990 me kombëtaren e RFGJ, Interi mund të jetë i suksesshëm nën drejtimin e 36 vjeçarit.
“Eksperienca ka të bëjë shumë, por një debutues mund të ketë pafajësinë që mund të ndryshojë ndeshjet. Rezultatet mund të vijnë gjithashtu falë marrëdhënieve që ka me klubin dhe me lojtarët e vjetër në skuadër. Interi duket në rrugën e duhur, pavarësisht humbjes me Atalantën”.
Klinsman ka luajtur 95 ndeshje me fanellën e Interit në vitet 1989-1992, duke shënuar 34 gola për skuadrën zikaltër. (LajmeShqip.com)
Saturday, 17 November 2012 10:01