Roman Abramoviç është gati të pranojë se basti i tij prej 50 milion paund me blerjen e Fernando Torres është humbur në mënyrë spektakolare, pasi tani është vënë në ndjekje të kolumbianit Falkao.
“Daily Mail” bën të ditur se pronari i Çelsit ka bërë gati fonde të reja të pakufizuara për trajnerin Roberto Di Mateo, me qëllimin që t’i sjellë atij në Londër sulmuesin më të mirë në qarkullim për momentin.
Vetë sulmuesi 26 vjeçar, i kërkuar edhe nga skuadra të tjera si Real Madrid e Mançester Siti, nuk ka ngurruar të tregojë respektin e tij ekipin anglez.
“Çelsi është kampione e Evropës dhe më shumë se kaq nuk ke çfarë të thuash për këtë klub. Edhe pasi fituan Ligën e Kampioneve, ata vazhdojnë duke blerë lojtarë të cilësisë së lartë, që tregon se kanë ambicie të qarta”, tha Falkao.
“Unë nuk shqetësohem për lojën fizike të kampionatit anglez. Kamë shënuar në Argjentinë, Portugali dhe Spanjë, ndaj besoj se mund të përshtatem me çdo kampionat. Jam gjithashtu një tifoz i madh i Xhanfranko Zola, të cilin e adhuroja kur isha i vogël. Kam ndjekur vazhdimisht kampionatin anglez, i cili ka shumë cilësi dhe është shumë tërheqës. Sigurisht që është diçka e këndshme të mendosh se mund të luash aty”, ishte mesazhi i qartë i Falkaos.
Vështirësitë financiare me të cilat ndeshet Atletiko Madrid do ta bëjnë thuajse të detyrueshme shitjen e lojtarit, ndonëse nuk dihet nëse një gjë e tillë do të ndodhë në janar, apo klubi do të rezistojë deri në fundin e sezonit, pasi të ketë siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve.
Abramoviç gjithsesi është i bindur se lojtari i meriton plotësisht 60 milion eurot që ka në kontratë si klauzolë largimi dhe u ka bërë të qartë drejtuesve të skuadrës se duhet të kërkojnë blerjen e tij që në janar. (LajmeShqip.com)
Friday, 16 November 2012 14:25