Didier Deshamp deklaron se vendimi i tij për t’u larguar nga drejtimi i Juventusit pas vetëm një sezoni në stolin e kësaj skuadre është gabimi i vetëm që ka bërë në karrierën e tij deri tani.
Trajneri aktual i kombëtares franceze kaloi 5 vite të suksesshme si lojtar te skuadra italiane, duke u kthyer aty si trajner në sezonin 2006-07, për ta drejtuar ekipin në Serinë B, por u largua pas përplasjeve të vazhdueshme me drejtuesit.
“Kur vendosa të kthehesha te Juventusi, nuk e dija se çfarë skuadre do të drejtoja”, tha Deshamp për “France Football”. “Fatmirësisht arritëm të mbanim disa prej lojtarëve më të mirë si Bufon, Del Piero, Nedved dhe Trezege, ndaj pata mundësinë të kisha një skuadër të mirëfilltë në dispozicion”.
“Kjo ishte mundësia ime që t’i ktheja Juventusit gjithçka më kishte dhënë ky klub dhe ishte një burim krenarie. Megjithatë më vjen keq që mora vendimin e gabuar duke u larguar, por nuk e kuptova këtë gjë deri pasi e bëra një veprim të tillë”.
Pas largimit nga Juventus, Deshamp mori për tre sezone drejtimin e Olimpik Marsejë, para se të emërohej në fillim të këtij edicioni si trajneri i Francës. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 14 November 2012 16:21