Sulmuesi kolumbian i Atletiko Madrid, Radamel Falkao, i ka hapur derën një transferimi të mundshëm duke pranuar se po “ëndërron” të lëvizë drejt një kampionati tjetër.
Çelsi, Real Madrid, Mançester Siti, Mançester Junajtid dhe Paris Sent Zhërmen janë të gjitha skuadra që interesohen për sulmuesin, i cili në këtë kampionat ka shënuar 10 gola duke ndihmuar skuadrën e tij të ngjitet në vendin e dytë në renditje. Por tani, ai duket se është gati të ndërrojë ambient dhe të provojë diçka të re në karrierën e tij.
“Do të vijë edhe shansi që unë të luaj në një klub dhe kampionat tjetër. Unë vazhdoj të ëndërroj”, tha Falkao për “Radio Caracol” në Kolumbi. “E di që me kalimin e kohës do të shkoj në një ekip tjetër, por kam ende 3 vite kontratë të mbetura me Atletiko Madrid”, pranoi ai.
Mediat spanjolle kanë spekuluar me faktin se ai nuk po luan në Europa League këtë sezon me Atletiko Madrid pasi klubi dëshiron ta shesë në janar dhe si rrjedhojë nuk do ta aktivizojë në Kupat e Evropës. Por Falkao e ka hedhur poshtë këtë hipotezë, duke e cilësuar qëndrimin e tij në pankinë vetëm si çështje teknike.
“Fakti që unë nuk luaj në Europa League është një çështje krejtësisht teknike, një vendim i trajnerit Simeone. Është vetëm një masë mbrojtëse për të evituar lodhjen, nuk ka të bëjë aspak me shitjen në janar. Unë vazhdoj të kem të njëjtën ëndërr. Kampionati anglez është mjaft interesant, por për momentin them se kam edhe disa vite kontratë me Atletiko Madrid dhe po përqendrohem vetëm të ky klub”, ishte mesazhi i qartë i Falkaos për të gjithë ata që janë gati të shpenzojnë 60 milion euro për ta blerë nga skuadra spanjolle. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 14 November 2012 10:35