Joakim Lëv ka premtuar se Gjermania nuk do të ndryshojë stilin e saj sulmues kur të përballet me Holandën në miqësoren e sotme. Kombëtarja gjermane zhgënjeu në ndeshjen e saj të fundit zyrtare kundër Suedisë, pasi po kryesonte 4-0, ndërsa i dha mundësinë kundërshtarëve të barazonin në 30 minutat e fundit, ndaj Lëv shpreson që fytyrat e reja që ka grumbulluar këtë radhë të kthejnë pak entuziazëm në radhët e ekipit.
“Çdo ndeshje na sjell informacione të rëndësishme. Tani ne do ta shfrytëzojmë këtë takim për t’i dhënë 2-3 lojtarëve mundësinë e tyre. Në përgjithësi do t’i mbetemi besnikë stilit tonë ofensiv të lojës, pasi kemi lojtarë që kanë aftësi të tilla. Tani virtytet e lojës së Gjermanisë janë ato të lojtarëve teknikë që luajnë futboll të bukur sulmues”, tha ai duke konfirmuar ndryshimin e tendencës në krahasim me të kaluarën, ku Gjermania i besonte më shumë forcës fizike dhe disiplinës taktike si karakteristika kryesore.
Megjithatë, Lëv është i ndërgjegjshëm që kjo nuk do të thotë aventura pa kufi në sulm, pasi duhet gjetur një ekuilibër edhe me repartin e mbrojtjes.
“Na duhet të përmirësojmë organizimin tonë dhe të përmirësohemi në mbrojtje, pa sakrifikuar mënyrën tonë të lojës. Do të përqendrohemi që të kemi stabilitet në lojë që nga fillimi i saj”, tha ai, duke kujtuar gabimet e bëra nga prapavija në ndeshjen me Suedinë. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 14 November 2012 10:04