Trajneri i përfaqësueses franceze, Didier Deshamp, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të trajnerit të Totenhem, Andre Vijas Boas, i cili ka theksuar se kritikat e francezit “hyjnë nga një vesh dhe dalin nga tjetri”. Debati mes palëve filloi në momentin kur Deshamp vuri në dyshim aftësinë e përzgjedhjes së Vijas Boas rreth portierit të Francës, Hugo Loris, i cili u ble gjatë verës nga Totenhem, por ka kaluar deri tani pjesën më të madhe të kohës në stolin e rezervave, duke u kthyer në zëvendësuesin e veteranit amerikan, Bred Fridëll.
“Edhe unë kam dy veshë. Çfarë thotë Vijas Boas ka të njëjtin efekt te unë”, ishte kundërpërgjigja e Deshamp para gazetarëve. “Nuk po flasim për një lojtar që nuk luan. Që nga momenti kur ai luajti në mënyrë të shkëlqyer kundër Spanjës, Loris është aktivizuar në 3 ndeshje”.
“Hugo po luan një ndeshje në javë. Sigurisht, atij do t’i pëlqente të luante më shumë, por për momentin nuk po ndodh kështu. Ai po ecën para me sa ka mundësi, por sigurisht që do të dëshironte të luante më shumë”, tha trajneri i Francës i cili sipas mediave franceze, i ka kërkuar portierit që të marrë në konsideratë idenë e largimit nga londinezët nëse situata e tij nuk përmirësohet deri në janar. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 13 November 2012 11:01